Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë Devoll Elvis Hajdërlli ka qenë në një takim me banorët e fshatit Trestenik duke dëgjuar kërkesat e banorëve dhe duke iu ofruar zgjidhjet që ai ka menduar për katër vitet e ardhshme.
“Në Trestenik takuam njerëz me të cilët biseduam gjerësisht, dëgjuam me kujdes secilin prej tyre, vlerësuam dhe analizuam gjendjen aktuale në të cilën ata ndodhen. Realiteti tregon se bashkia aktuale ka qënë “me pushime“ në këto 4 vite qeverisje vendore dhe Tresteniku është po ai fshati me të njëjtat nevoja emergjente që kishte para 4 vitesh.
- Mungesa e çakullimit të rrugëve bujqësore, hapja e kanaleve ujitëse, hapja e pusit për mbushje me ujë rezervuari janë disa nga nevojat esenciale, me të cilat banorët e Trestenikut hasen çdo ditë.
- Asfaltimi i rrugëve brenda fshatit nuk është më një luks, por është plotësim i kushteve jetësore të një komuniteti.
- Për të mos përmendur këtu objektet e kultit, siç është mungesa e xhamisë për besimtarët myslimanë, një vend ku ata gjejnë qetësine shpirtërore dhe për të cilin duhet të udhëtojnë në fshatra të tjera për ta arritur.
Përmirësimi i këtyre shërbimeve jetësore do të jetë fokusi ynë në bashkinë e ardhshme, institucionin që i përket të gjithë devollinjve. Platforma jonë ka në fokus përmirësimin e shërbimeve jetësore ndaj devollinjve dhe rritjen e mirëqënies”, tha Hajdërlli gjatë takimit me banorët e fshatit Trestenik.