Kandidati i Koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë Devoll, Elvis Hajdërlli gjatë një takimi elektoral në fshatin Poloskë tha se në 4 vitet e shkuara ky fshat është lënë totalisht jashtë vëmendjes dhe pa shërbime. Ndërsa ka shprehur vendosmërinë për rehabilitimin e infrastrukturës rrugore, shkollës, menaxhimin e mbeturinave, ndriçimin dhe përkrahjen e fermerëve, Hajdërlli shpalosi edhe një projekt për parkun e Dëmbravës të cilin mendon ta shndërrojë në një park me shëtitore dhe ambjente çlodhëse. Në Poloskë, ku spikat dashamirësia dhe bujaria e banorëve, që na pritën me aq entuziazëm! Në 4 vite të shkuara të qeverisjes vendore, Poloska thuajse nuk ka ekzistuar për ta, duke rezultuar e pashërbyer në çdo drejtim. Dhe si për t’i hedhur hi syve banorëve të Poloskës, vetëm përpara 2 muajsh nga sot që flasim, kujtohen të çakullojnë disa metra rrugë dytësore me çakullin e minierës së Devollit, e cila është pronë e bashkisë dhe ky çakull merret falas. Kryebashkiaku i vetëemëruar e ka blerë fiktivisht duke tentuar përsëri të gënjejë devollinjtë sy për sy!!! Mungesat e shërbimeve vihen re në:
- infrastrukturën rrugore,
- menaxhimin e mbeturinave,
- ndriçimin e fshatit,
- rehabilitimin e shkollës,
- mungesa totale e përkrahjes së fermerëve,
Të gjitha këto problematika do të jenë pjesë e programit tonë në funksion të zhvillimit dhe mirëqënies së banorëve.
- Parku i Dëmbravës, pranë Poloskës, një pasuri natyrore me vlera të shtuara për Devollin, në vizionin tonë dhe gjatë shërbimit tonë do të shndërrohet në një park me shëtitore dhe ambjente çlodhëse për të gjithë devollinjtë e më gjerë.
Duke ju ftuar të bëhemi bashkë për të ndryshuar me votë këtë realitet të errët, ju siguroj që Poloska në 4-vjeçarin e ardhshëm do të ketë shërbime transparente, me përkushtim dhe profesionalizëm, është shprehur Hajdërlli gjatë takimit me banorët në fshatin Poloskë.