• Sport

Gvozdenoviç “shkund” ekipin. Kryepankina mbledhje pas fitores me Tomorin. Kërkohet përqëndrim

Skënderbeu rimori kreun e renditjes përmes një fitoreje ndaj Tomorit edhe pse me një lojë jo fort të denjë për kërkesat e trajnerit bardhekuq Ivan Gvozdenoviç. Pavarësisht se kanë marrë maksimumin e mundshëm nga kjo ndeshje trajneri bardhekuq ende ka kritikat e veta dhe një gjë të tillë e ka shprehur edhe në analizën e pasur me ekipin ditën e djeshme. Duke parë ngarkesën emocionale që korçarët kanë reflektuar kryesisht në dy ndeshjet e fundit duke mos u treguar plotësisht të qartë në fushën e lojës, Gvozdenoviç ka vendosur të reagojë. Burimet, tregojnë se numri një i pankinës korçare ka kërkuar nga lojtarët e tij që të mos mendojnë për planet afatgjata por të shohin vetëm ndeshjen e radhës dhe shmangin ngarkesat e jashtëme emocionale. Gvozdenoviç ka kërkuar nga të tijët që shtatë ndeshjet e mbetura të trajtohen si shtatë finale dhe mos ndikohen aspak nga rrjedha e kampionatit.

“Jemi në një pikë kyçe të sezonit kur duhet të bëjmë gjithmonë maksimumin. Ndaj duhet që në të shtata javët të bëjmë më të mirën dhe të mendojmë vetëm për rrugëtimin tonë. E dimë që do të ketë vështirësi dhe ngarkesë emocionale por kjo është ajo që ne duhet të shmangim. Prandaj kërkoj që djemtë më me eksperiencë të bëjnë maksimumin e tyre duke orjentuar edhe të rinjtë për të shmangur presionin e akumuluar. Unë kam besim tek ju. Objektivi final është tejet i rëndësishëm por duhet të marrim gjithçka me një përqëndrim maksimal.”- theksoi veç të tjerash trajneri i Skënderbeut

Korçarët vetëm me një javë distancë janë kthyer sërish në krye dhe diçka e tillë ka ardhur përmes një performance të denjë që të jep përshtypjen e rezultateve të Skënderbeut të madh. Vetëm në 10 javë me në krye Ivan Gvozdenoviç bardhekuqtë kanë mundur të marrin shtatë fitore dhe tre barazime duke grumbulluar 24 pikë. Aq sa Skënderbeu i sezonit të kaluar i kishte ëndërr paraqitje të tilla. Në rrjedhën logjike të këtyre rezultateve duket se Gvozdeenoviç kërkon vijimësinë. Vijimësi që nëse qëndron në të tilla standard dhe paraqitje, rikthimi direkt në superiore nuk do të ishte problem. 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *