• Lajme kombëtare

Gjyqi në Hagë/ Sot mbahet seanca e radhës ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së

Ditën e sotme do të mbahet seanca e radhës në Hagë në Dhomat e Specializuara të Kosovës,ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si Hashim Thaçi, Jakup Kransiqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.

Trupi Gjykues ka ngritur shqetësimin për ritmin me të cilin po zhvillohen seancat në këtë çështje gjyqësore ndërsa u ka kujtuar palëve se është e panevojshme t’i pyesin dëshmitarët me hollësi për aspekte të pakontestuara.

Dëshmitari i njëmbëdhjetë përfundoi dëshminë dhe pas kësaj Trupi Gjykues diskutoi gjerësisht me palët dhe mbrojtësin e viktimave për hapat konkretë që mund të ndërmerren për të garantuar një numër më të madh seancash publike në këtë çështje gjyqësore.

Diskutimi u mbështet në parashtrimet me shkrim që Trupi Gjykues kishte marrë nga Prokuroria, Mbrojtja dhe mbrojtësi i viktimave.

Ndërkaq, më 28 qershor, Prokuroria dorëzoi listën e 12 dëshmitarëve të tjerë që do të thirren në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit dhe ish-drejtuesve të tjerë të UÇK-së.

Lista përmban edhe dëshmitarë shtesë dhe Prokuroria ka bërë të ditur se ka zvogëluar kohën e parashikuar që duhet për të marrë në pyetje tetë prej këtyre dëshmitarëve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *