• Devoll

Fshati Vërnik pa kanalizime, së shpejti pritet të nisë puna për shtrimin e rrjetit

Pas zgjidhjes së një prej problematikave kryesore të fshatit Vërnik në bashkinë Devoll që ishte rehabilitimi i rrugës lidhëse me qytetin e Bilishtit i cili është kryer si një bashkëfinancim me Qeverinë Bullgare, banorët ngrejnë shqetësimin e mungesës së kanalizimeve të ujrave të zeza dhe ujit të pijshëm. Ata shprehen pozitivisht për punën e kryer në asfaltimin e rrugës prej 5 km, një rrugë tepër problematike por kërkojnë që edhe këto shqetësime të marrin zgjidhje sa më shpejt. Momentalisht ujin e pijshëm banorët e sigurojnë përmes 2 çezmave publike që ndodhen në këtë fshat ndërsa sa i takon kanalizimeve, zgjidhja e vetme deri më tani ka qenë hapja e gropave septike.

Në lidhje me këto shqetësime të ngritura nga banorët, i kontaktuar nga RTSH Korça, kryetari i bashkisë Devoll Eduard Duro shprehet se kanë gati projektin e kanalizimeve dhe puna për ngritjen e rrjetit do të nisë së shpejti ndërsa në vëmendjen e tyre do të jetë edhe sigurimi i ujit të pijshëm nëpër banesa. Një ndër investimet më madhore të kësaj bashkie sa i takon ujit të pijshëm ka qenë ndërtimi i ujësjellësit rajonal të Mirasit që shërbeu për furnizimin me ujë 24 orë të fshatrave Sul, Koshnicë, Menkulas, Braçanj, Ponçarë, Fitore, Dobranj, Ziçisht, dhe Gjyrëz, ndërsa vitin e kaluar është ndërtuar dhe një tjetër rrjet ujësjellësi për të furnizuar me ujë fshatrat Miras, Vidohovë, Çetë, Sinicë dhe Arrëz.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *