• Maliq

Fshati Kolanec, potencial turistik. Rehabilitohen rrugët me kalldrëm, rritet interesi për të investuar

I ndodhur vetëm 3 kilometra larg Maliqit, fshati Kolanec shtrihet përgjatë një peizazhi malor të mrekullueshëm, dhe cilësohet si një nga më të bukurit e zonës. Investimet e bëra së fundmi për rehabilitimin e rrugëve të brendhsme me kalldrëm pritet ta kthejnë në një fshat turistik. Por për këtë nevojitet më tepër vëmendje nga pushteti vendor, për të investuar edhe në asfaltimin e rrugës që të çon në këtë fshat, ku bie në sy jo vetëm natyra por edhe banesat e vjetra dhe karakteristike.

Gjatë vizitës sonë në fshatin Kolanec takuam Drita Matoitin e cila jeton në Tiranë. Ajo na tregon se prej vitesh muajt verës i kalon në këtë fshat, i cili njihet për historinë e tij, klimën, prodhimet e gatimet tradicionale dhe banorët shumë mikpritës.

Para 6 vitesh Drita bleu një shtëpi në fshatin Kolanec, duke zgjedhur të kalojë këtu verën larg zhurmës së kryeqytetit. Pas investimeve të kryera në këtë fshat Drita ka mendimin se edhe banorët e tjerë do fillojnë të investojnë në këtë fshat i cili ka resurse të mëdha turistike.

Sipas banorëve ky investim ishte i domosdoshëm dhe kërkesë e hershme e tyre. Ata thonë se punimet që janë kryer kanë transformuar pamjen e këtij fshati duke rritur kështu edhe interesin e tyre për të investuar. 

Projekti për rehabilitimin e rrugëve të brendshme me kalldrëm në fshatin Kolanec të bashkisë Maliq, është një investim i Këshillit të Qarkut Korçë, nëpërmjet fondeve të Bashkimit Europian, në vlerën e rreth 6 milion lekëve. Përveç shtrimit të rrugëve të brendshme të fshatit me kalldrëm, është bërë dhe rehabilitimi i çezmave të fshatit dhe vendosja e ndriçimit publik.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *