Federata Shqiptare e Aeronautikës ka mbyllur për këtë vit kalendarin e fluturimeve, kalendar i cili pothuajse në gjithë garat ka përfshirë edhe garues të huaj. Gara e fundit është zhvilluar në periferi të qytetit të Korçës, garë e cila ka qenë e preçizionit në zbritje. Alket Islami, president i federatës shqiptare por dhe ai i Kosovës Avni Kuçi tregojnë se edhe gara e fundit ka përfshirë pilotë nga disa vende të Ballkanit, të cilët kanë treguar preçizion të lartë jo vetëm në zbritje por edhe gjatë fluturimit.
Për rumunen Helena Adamescu është hera e parë që vjen në Korçë, por është ndjerë sikur është në shtëpinë e saj, edhe për faktin se Korça ngjason shumë me Brasov, qytet ku ajo jeton.
Vij për herë të parë në Korçë, por në Shqipëri kam qenë në Vlorë disa herë. Më pëlqen Shqipëria, pasi është edhe një vend i mirë për të fluturuar. Edhe Korça më pëlqen, një qytet karakteristik, është si qyteti im i lindjes në Rumani. Pamja nga pika e nisjes është shumë e bukur, ne mund të shohim të gjithë malet me dëborë, është vërtet këndshëm.
Në garën e fundit të Korçës morën pjesë 40 garues, pjesa më e madhe e tyre kanë qenë nga Shqipëria dhe Kosova.