Ka nisur prej disa ditësh largimi i emigrantëve drejt shtetit fqinj të Greqisë. Vetëm gjatë tre ditëve të fundit përmes pikës kufitare të Kapshticës kanë qarkulluar më shumë se 26 mijë qytetarë në hyrje e dalje, nga të cilët 13 964 qytetarë kanë dalë nga Shqipëria drejt tokës greke. Ditën e sotme që prej orëve të para të mëngjesit në këtë pikë të kalimit kufitar ka pasur fluks të lartë kalimesh kryesisht në dalje duke krijuar edhe radhë në tre korsi të automjeteve. Qytetarët tregojnë se kanë qëndruar në pritje deri në një orë, por sipas tyre një gjë e tillë është normale në këto ditë kur janë të shumtë emigrantët që pasi kanë kaluar pushimet në atdhe rikthehen në vendet e tyre të punës.
Për të menaxhuar fluksin autoritetet kufitare kanë punuar me katër sportele në dalje dhe dy të tjerë në hyrje, ndërkohë që mësohet se disi më e vështirë paraqitet situata në palën greke aty ku përpunimi i dokumentacionit kryhet më ngadalë. Fluks i lartë kalimesh është paraqitur gjatë këtyre ditëve edhe në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës, aty ku gjatë tre ditëve të fundit kanë hyrë e kanë dalë më shumë se 22 mijë qytetarë, nga të cilët 12681 në hyrje të republikës së Shqipërisë dhe 9444 shtetas shqiptarë dhe të huaj kanë dalë nga toka jonë drejt Maqedonisë së Veriut. Në këtë pikë të kalimit kufitar mësohet se nuk janë regjistruar radhë dhe pritje e qytetarëve por qarkullimi është menaxhuar nëpërmjet numrit maksimal të sporteleve të cilët alternohen në hyrje e dalje për të kryer përpunim më të shpejtë të dokumentacionit.