Fluksi ka ardhur në rritje që prej pasdites të së enjtes për të vijuar gjatë gjithë ditës së sotme. Burime pranë drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit në Korçë bëjnë me dije se vetëm gjatë 24 orëve të fundit kanë hyrë në vendin tonë përmes kësaj pike kalimi kufitar më shumë se 6250 shtetas shqiptarë e të huaj. Pritet që edhe ditët në vijim të kenë një fluks të shtuar lëvizjesh në këtë pikë kalimi. Për këtë arsye, autoritetet kufitare janë në gatishmëri duke punuar me pesë sportele dhe duke bërë alternimin e tyre në momentet kur intensiteti i lëvizjes është më i madh. Momentalisht numri më i madh i lëvizjeve është në hyrje të pikëkalimit të Kapshticës teksa prej së hënës pritet që lëvizjet më të shtuara të jenë në dalje drejt shtetit Helen. Kjo për shkak se pas kalimit të festës së Pashkëve në Shqipëri, emigratët pritet që të rikthehen drejt vendeve të tyre të punës në shtetin fqinj. Vetëm pak ditë më parë ministri i Brendshëm Taulant Balla nga pika e kalimit kufitar Kapshticë ka dhënë mesazhin për koordinim të punës për të mos pasur rradhë të gjata pritjeje në kufi.
- Korça