• Korça

Fluks kalimesh në pikat kufitare, punohet me kapacitet maksimal sportelesh

Vijon fluksi i largimit të emigrantëve drejt vendeve ku punojnë e jetojnë. Në ditët e para të janarit në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës kanë kaluar 12 114 shtetas nga Shqipëria drejt Greqisë, 5793 prej të cilëve kanë qenë gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës janë larguar drejt Maqedonisë së Veriut 6034 shtetas nga të cilët 3093 gjatë 24 orëve të fundit. Për pjesën më të madhe të emigrantëve që jetojnë e punojnë në shtetin grek data 5 janar shënon edhe fillimin e punës për këtë vit, prandaj fluksi i daljeve nga Shqipëria gjatë dy ditëve të fundit ka qenë i lartë. Nga ana tjetër sa i takon hyrjeve në vendin tonë, përmes pikës kufitare të Kapshticës gjatë ditëve të para të janarit kanë ardhur nga Greqia 5457 shtetas, ndërsa nga pika e kalimit kufitar të Qafë Thanës kanë hyrë nga Maqedonia e Veriut në Shqipëri 6937 shtetas. Për të përballuar fluksin dhe për të mos krijuar radhë e pritje të qytetarëve në pikat doganore është duke u punuar me numër maksimal sportelesh. Kështu në Kapshticë punohet me 6 sportele nga të cilat 4 në dalje dhe 2 në hyrje, ndërsa edhe në Qafë Thanë rëndësi i kushtohet sporteleve në dalje ku fluksi i kalimeve është më i madh. Burime nga dy pikat kufitare thonë se deri më tani fluksi është përballuar normalisht pa krijuar radhë të gjata e pritje të qytetarëve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *