Skënderbeu ka prezantuar këtë të mërkurë sulmuesin xhamajkan Zhurden Fleçer dhe e bën kështu 26-vjeçarin zyrtarisht pjesë të ekipit për sezonin e ri. Gjithsesi Fleçer nuk është gati për të luajtur dhe trajneri Gvozdenovic duhet të presë edhe pak kohë për ta patur në dispozicion. Edhe pse ka mbërritur në Korçë javën e kaluar, xhamajkani vijon ende stërvitjen e diferencuar, pasi parametrat atletikë dhe fizikë janë tepër poshtë dhe lënë për të dëshiruar.
Edhe pse në klub pretendonin që sulmuesi prej kohësh kishte marrë një plan të detajuar pune dhe stërvitjeje, dukshëm nga testet fizike tregon se ka kohë që nuk ka zhvilluar stërvitje dhe për pasojë forma e tij është e papranueshme. Burime në klub bëjnë me dije se sulmuesi pritet që të punojë përgjatë këtyre javëve deri në fillim të kampionatit me përgatitësin atletik të Skënderbeut, me qëllim që të rikuperojë disi nga ana fizike, por gjithsesi duket e pamundur që të jetë gati për fillimin e kampionatit. Vonesa në përgatitje dhe disa kilogram mbipeshë e bëjnë Fleçerin që të humbasë me shumë mundësi ndeshjet e para të kampionatit. Në të tilla kushte Skënderbeu e gjen veten sërish pa sulmuesin kryesor dhe duhet të mbështetet për momentin te dyshja Nikaj dhe Rashica.