Janë luajtur të dielën finalet e shkollave 9-vjeçare në disiplinën e basketbollit për femra dhe meshkuj, të vlefshme për Kampionatin e Ekipeve Sportive në Shkolla për qarkun e Korçës. Fituese është shpallur shkolla “Sotir Gurra” në qytetin e Korçës si për ferma edhe për meshkuj. Emil Papa trajner i ekipeve sportive, thotë se ky projekt është shumë i rëndësishëm jo vetëm për angazhimin e fëmijëve dhe të rinjve në sport, por edhe për rikthimin e organizimit të aktiviteteve të përmasave të tilla, pas një mungese disa vjeçare, më shpresën që ky kompeticion të shndërrohet në një traditë të përvitshme.
Këtë projekt e kanë vlerësuar edhe nxënësit e ekipeve sportive të shkollës 9 vjeçare “Sotir Gurra”, të shpallur fitues në këto finale.
Projekti “Ekipet Sportive në Shkolla” i cili është iniciuar nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, mbështetet nga qeveria shqiptare dhe është duke u zbatuar në 61 bashki të vendit. Ndeshjet finale për shkollat e mesme në dispilinën e basketbollit do të luhen të martën në Qytezën e fëmijëve duke filluar nga ora 13:00.