Asgjësohen 182 fidanë narkotikë cannabis sativa të mbjellë në kubikë në një banesë në Fier. Si pasojë blutë kanë arrestuar pronaren e banesës ku u gjendën fidanët ndërsa kanë shpallur në kërkim bashkëshortin e saj.
Gjithashtu, në banesën e tyre u gjet dhe u sekuestrua nga policia një armë gjahu që mbahej pa leje.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, kanë goditur në kuadër të operacionit policor të koduar “Kreshpan”, një tjetër rast të kësaj veprimtarie kriminale, për të cilin u arrestua në flagrancë shtetasja P. Y., 49 vjeçe, si dhe u shpall në kërkim bashkëshorti i saj shtetasi D. Y., 51 vjeç (alias S. Y., alias K. Y.)”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, për veprime të mëtejshme, mdërsa policia vijon punën për kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të 51-vjeçarit.
/rtsh.al/