Çdo 24 qershor kremtohet Festa e “Shën Prodhromit” në Voskopojë. Qindra qytetarë, besimtarë dhe turistë të shumtë zgjedhin fshatin turistik për të shijuar natyrën dhe për të festuar këtë ditë.
Prej orëve të para të mëngjesit në Manastirin e Shën Prodhromit është mbajtur liturgjia hyjnore të cilën e ka drejtuar Mitropoliti i Korçës, Hirësia e Tij Imzot Joan Pelushi. Qindra besimtarë kanë ndjekur liturgjinë e kësaj dite, që shënon një ndër festat më të rëndësishme të kalendarit ortodoks.
Ashtu siç është traditë një pjesë e besimtarëve nisin festimet një ditë më parë, duke kaluar natën në manastir, e më pas duke ndjekur meshën e shenjtë e duke festuar këtë ditë të shënuar bashkë me familjarët e tyre.
Gjatë vizitës sonë në fshatin turistik të Voskopojës kemi takuar edhe grupe turistësh nga Franca e Gjermania. Ata shprehen se janë mahnitur nga bukuria natyrore e këtij fshati, trashëgimia kulturore, kulinaria dhe traditat e kësaj zone.
Manastiri i Shën Prodhromit në Voskopojë apo Manastiri i Shën Joan Pagëzorit është një monument i trashëgimisë kulturore dhe një prej atraksioneve më interesante të këtij fhsati turistik, i cili është kthyer në një destinacion pelegrinazhi.