Besimtarët ortodoksë kanë kremtuar 40 ditë pas Pashkës, ditën e Analipsit që simbolizon ngjitjen e zotit në qiell, ose e njohur ndryshe si festa e Ristozit. Kremtimet e kësaj dite mbahen tek kisha e Ristozit në fshatin Mborje, një ndër më të vjetrat në Ballkan e ndërtuar në shek 14, ku besimtarët ndjekin meshën që mbahet në këtë ditë të shënuar ndërsa kryejnë dhe disa rite fetare.
Në këtë ditë të shënuar kujtohet sakrifica që ka bërë shpëtimtari Jezus Krishti për njerëzimin ndërsa mesazhi që Mitropoliti i Korçës, Hirësia e tij Imzot Joani ka përcjellë gjatë meshës, ka qenë ai i shembullit dhe mësimit që duhet marrë prej saj.
Besimtarët në këtë ditë janë lutur për shëndet e mbarësi ndërsa kjo festë është një ndër më të rëndësishmet në kalendarin ortodoks.