• Korça

Festivali Folklorik i Gjirokastrës, grupi i Korçës performon më 27 qershor

Pas 8 viteve ndërprerje do të zhvillohet këtë vit Festivali Folklorik i Gjirokastrës, nga data 24 qershor e deri më 1 korrik. Grupi i Korçës do të ketë performancën e vet në këtë festival në datën 27 qershor. Organizimi është kryer nga Këshilli i Qarkut të Korçës i cili prej shumë muajsh tashmë është duke u përgatitur për këtë pjesëmarrje me profesionistë të fushës të cilët pritet të kryejnë një përfaqësim dinjitoz. Do të jenë 60 performues nga grupi i Korçës, tha kryetarja e Këshillit të qarkut Ana Verushi, në konferencën për shtyp të mbajtur ditën e sotme.

Organizimi i festivalit të Gjirokastrës është një rast i mirë për të mos humbur vlerat tha drejtori artistik i grupit të Korçës Josif Minga.

Ndërsa drejtorja ekzekutive e grupit të Korçës, Blerta Belliu ka kryer një falenderim për Këshillin e Qarkut i cili i ka dhuruar ansambliy Skënderbeu 8 kostume qytetare të Korçës, të cilat prej vitit 1988 nuk kanë qenë pjesë e Festivalit Folklorik të Gjirokastrës.

Festivali Folklorik i Gjirokastrës është ndër eventet më të rëndësishme kulturore për ruajtjen dhe promovimin mbarëkombëtar të trashëgimisë jomateriale. Misioni i tij është të përcjellë vlerat më të bukura e të larmishme të trashëgimisë shpirtërore, etnomuzikore, etnografike, prezantim me kostumet e mrekullueshme popullore shqiptare nga të gjitha zonat e trevat. Me festivalin e këtij viti, Gjirokastra numëron 11 edicione të mbajtura në qytetin e gurtë, ndërkohë në nivel kombëtar festivali numëron rreth 18 edicione.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *