• Korça

Festivali Folklorik i Gjirokastrës, grupi i Korçës me performancë dinjitoze

Grupi i Korçës ka pasur performancën e vet një natë më parë në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës duke sjellë në skenë elementët e shumfishtë të një krahine të gjerë, ku ndërthurej kënga qytetare korçare me vallen e Devollit dhe meloditë e rralla instrumentale folklorike. Kanë qenë në total 60 performues nga grupi i Korçës duke nisur me emra të njohur të këngës e valles tradicionale të zonës e deri te më të rinjtë të cilët marrin pjesë për herë të parë në këtë festival. Drejtori artistik i Grupit të Korçës Josif Minga tregon se në këtë performancë është sjellë diversiteti kulturor i të gjitha zonave duke nisur nga Leskoviku e deri në Pogradec:

Një nga pjesëmarrësit më të hershëm në festivalin e Gjirokastrës është këngëtari Endri Fifo i cili tregon se për herë të parë ka marrë pjesë në këtë festival në vitin 1978, por emocionet vijojnë të jenë të mëdha, ndërsa prezanton vlerat e trashëgimisë shpirtërore të popullit tonë.

Të tjera materiale nga zona e Korçës kanë qenë edhe ato të minoritetit maqedonas dhe atij vllah.

Një vend të rëndësishëm në performancën e grupit të Korçës ka zënë edhe kënga qytetare korçare por edhe kënga e vallja kolonjare.

Instrumentisti Aleks Xhelili është një nga pjesëmarrësit më të vjetër të Festivalit të Gjirokastrës që prej vitit 1983. Ai tregon se trashëgimia shpirtërore është pjesa më e vyer e një kombi të cilën ai edhe si mësues mundohet tu’a përcjellë brezave të rinj.

Ka qenë Këshilli i qarkut ai i cili ka kryer organizimin për pjesëmarrjen në Festivalin e Gjirokastrës duke arritur një përfaqësim dinjitoz në përcjelljen e vlerave më të mira të zonës së Korçës. Festivali Folklorik i Gjirokastrës është ndër eventet më të rëndësishme kulturore për ruajtjen dhe promovimin mbarëkombëtar të trashëgimisë jomateriale. Me festivalin e këtij viti, Gjirokastra numëron 11 edicione të mbajtura në qytetin e gurtë, ndërkohë në nivel kombëtar festivali numëron rreth 18 edicione.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *