Festa e Pashkës ortodokse solli në Korçë emigrantë e turistë të shumtë të cilët ashtu si çdo vit kanë zgjedhur pikërisht qytetin juglindor për të shijuar javën e madhe të Pashkës. Jo vetëm sepse në këtë qytet kanë të afërmit e tyre dhe kujtimet e fëmijërisë por edhe sepse Pashka në Korçë të ofron një atmosferë të veçantë.
Këtë vit duket se më të shumtë kanë qenë emigrantët e kthyer dhe më të paktë vizitorët e turistët. Kjo pasi sipas informacioneve nga disa hotele që operojnë në qytet rezervimet kanë qenë më të pakta se vitet e kaluara. Edhe vetë emigrantët dhe qytetarë të tjerë pohojnë se këtë vit ka pasur një rënie të fluksit të vizitorëve që kanë zgjedhur Korçën për të festuar Pashkën.
Mëngjesi i kësaj të hëne ka qenë disi më i qetë në qytetin e Korçës pasi qytetarë e vizitorë janë duke iu rikthyer ritmit normal të jetës, pas festimeve të kryera gjatë fundjavës.