• Korça

Festa e Lakrorit në Korçë

Lakrori me dy petë i pjekur në saç, një prej gatimeve më të veçanta të zonës së Korçës, për të 16-in vit radhazi do të ofrohet për shijuesit e kulinarisë përmes “Festës së lakrorit”. Mbrëmja e së shtunës, në datën 5 gusht do të mbledhë në fshatin Polenë të Korçës me qindra qytetarë korçarë e jo vetëm por dhe vizitorë nga qytete të tjera si edhe turistë të huaj për të shijuar lakrorët që do të përgatiten nga amvisat polenake. Për disa orë me rradhë do të përgatitet ky gatim tradicional, duke i dhënë mundësi edhe të pranishmëve në festë që të shohin nga afër mënyrën e veçantë të përgatitjes së lakrorit në saç. E pikërisht procesi i pjekjes në saç është ajo që bën diferencën e shijes së këtij lakrori . Kjo festë vjen në kuadrin e festave lokale që organizon Bashkia e Korçës, për të promovuar zonën, traditën e kuzhinës korçare dhe për të ndezur mbrëmjet e verës. Ajo vjen si një ndërthurje e shijes së lakrorit të gatuar në çast, një panairi ushqimesh tradicionale të fshatit Polenë dhe të Korçës, por edhe argëtimit, teksa mes tavolinave dhe shijimit të lakrorit nuk do të mungojë as muzika, përbërësi kryesor i çdo feste. E kthyer tashmë në një traditë të përvitshme, “Festa e Lakrorit” e kthen Korçën në epiqendrën e festimeve të verës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *