• Korça

Festa e Lakrorit në Korçë, tradita vazhdon në fshatin Polenë

Mbrëmja e së shtunës mblodhi në këtë fshat me qindra qytetarë korçarë e jo vetëm por dhe vizitorë nga qytete të tjera si edhe turistë të huaj nga Spanja, Gjermania, Greqia, etj për të shijuar lakrorin me dy petë. Për mbi 4 orë, amvisat polenake përgatitën një prej gatimeve tradicionale korçare, duke u dhënë të pranishmëve mundësinë që jo vetëm ta shijojnë, por edhe ta shohin nga afër mënyrën e veçantë të përgatitjes së lakrorit në saç. Qindra lakrorë u gatuan dhe u poqën me kujdes dhe më pas u tregtuan për të gjithë ata që kishin vendosur të shijonin një “copëz” Korçe. E pikërisht procesi i pjekjes në saç është ajo që bën diferencën e shijes së këtij lakrori pohojnë amvisat të cilat shtojnë se gjithçka përgatitet me produkte të zonës, të prodhuara nga vetë ata.

Kjo festë është sjellë në kuadrin e festave lokale që organizon Bashkia e Korçës për të promovuar zonën, traditën e kuzhinës korçare si dhe për të ndezur mbrëmjet e verës. “Festa e lakrorit” vjen si një ndërthurje e shijes së lakrorit të gatuar në çast, një panairi ushqimesh tradicionale të fshatit Polenë si dhe të Korçës, por edhe argëtimit, teksa mes tavolinave dhe shijimit të lakrorit nuk mungoi as muzika, përbërësi kryesor i çdo feste që erdhi nën interpretimin e këngëtarit të mirënjohur Spiro Roko

Ky është viti i 15-të që organizohet “Festa e Lakrorit” duke u kthyer në një traditë të përvitshme.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *