Dëmet e shumta të shkaktuara në bujqësi nga breshëri i disa ditëve më parë kanë bërë që fermerët e fushës së Korçës të mblidhen në një protestë para Drejtorisë së Bujqësisë duke kërkuar mbështetje nga shteti dhe dëmshpërblim monetar. Ata thonë se e kanë të pamundur të mbijetojnë në këto kushte kur kanë humbur thuajse gjithçka.
Protesta u organizua nga Shoqata e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm, kryetari i së cilës Koli Firaj kërkoi nga institucionet shtetërore ndihmë për fermerët.
I pyetur për këtë situatë drejtori i Agjencisë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor, Vullnet Gjolla ia kaloi përgjegjësinë bashkive lidhur me dëmshpërblimin e fermerëve.
Ky nuk është viti i parë që fermerët e Korçës dëmtohen nga breshëri, pasi vitet e fundit fenomene të tilla kanë ndodhur shpesh duke dëmtuar kulturat bujqësore.