• Sport

Erzeni dhe Teuta ndahen në “paqe”

Niveli më i lartë i Kampionatit Kombëtar të Futbollit, Kategoria Superiore, po luan ndeshjet e javës së tij të 21-të. Dhe, pasi i ka luajtur të shtunën dy takimet e para të javës së 21-të të saj, Kategoria Superiore ka vijuar të dielën me dy takime të tjera dhe në Durrës është zhvilluar një nga këto dy sfida, ajo midis Erzenit dhe Teutës. Ndeshja që u luajt në Stadiumin “Niko Dovana” të qytetit bregdetar dhe u soll për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport, ka parë durrsakët, që ishin skuadra mike në këtë sfidë, të kalojnë në epërsi brenda 7 mimutash lojë. Teuta fiton një 11-metërsh që është shndërruar me qetësi në gol nga Kallaku.

Pjesa e parë në vijim ka parë një lojë të hapur, me Erzenin më kërkues dhe që bën një vëllim më të madh loje, por nuk ka saktësi në finalizim, dhe me Teutën që përpiqet të rrezikojë me anë të  kundërsulmeve. 45 minutat e para janë mbyllur me epërsinë minimale të Teutës, ndërsa ato të dytat kanë patur të njëjtën tablo, me Erzenin që përpiqet dhe këmbëngul më tepër dhe me Teutën që kënaqet me administrimin e rezultatit dhe rrezikon me anë të kundërsulmit, siç ndodhi me Lorenco Vilën në minutën e 64-të, goditja e të cilit brenda zonës rroku shtyllën e djathtë pingule të portës shijakase dhe u kthye në lojë. Megjithatë, Erzeni do të ngulmojë dhe në minutat e fundit të kohës së rregullt do t’ia dalë të barazojë shifrat, me anë të Leaos.

Nuk ka më gola deri në fund dhe Erzeni e Teuta ndahen në barazim 1-1, duke ndarë nga një pikë secila, që i mban shijakasit në vendin e 3-të të renditjes, me 31 pikë, kurse durrsakët ngjiten në vendin e 7-të, me 6 pikë më pak.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *