• Lajme kombëtare

Energjia nga era, shpallen fituesit e ankandit të parë

Shqipëria do të prodhojë energji elektrike edhe nga era. Ky është një tjetër hap i rëndësishëm drejt rritjes së kapaciteteve dhe diversifikimit të burimeve energjetike, tha zevendëskryeministrja dhe ministre e industrisë dhe energjitikës Belinda Balluku me rastin shpalljes së fituesve të ankandit të parë eolik në Shqipëri.

Gara e nisur në 12 qershor 2021 është mbështetur në baza të forta ligjore, tha zonja Balluku. Në ankand kanë aplikuar 14 kompani kombëtare dhe ndërkombëtare, por fitues për fazën finale janë shpallur vetëm 3 kompani.

Ndërtimi i parqeve eolike është një hallkë shumë e rëndësishme për diversifikimin e  burimeve energjetike tha zonja Balluku duke shtuar se “Ndihemi krenarë kur burimet energjetike përputhen me agjendën e gjelbër te BE”.

Sipas zv/kryeministres, pjesëmarrja në këtë proces konkurrues lejohej për kapacitete minimale 10 megavat-orë dhe kapacitete maksimale 75 megavat-orë.

“Përmes këtij procesi, MIE do të përzgjedhë projekte që do të përfitojnë masën mbështetëse të përgjithshme për një sasi prej jo më pak se 150 kilovat-orë, por jemi të hapur për të pasur edhe më tepër, nëse çmimi do të ishte shumë i mirë dhe oferta e vlefshme, duke qenë se çdo megavat-orë sot është i cmuar, aq më tepër kur vjen nga energjia e rinovueshme”, bëri të ditur zonja Balluku.

3 shoqëritë e kualifikuara në fazën finale për ndërtimin e parqeve eolike, Verbund AG (austriake), Total Eren SA dhe KMV shpk (franceze dhe shqiptare), Guris Insaat ve Muhebdislik As & Mogan Energji Yatirim Holding As (turke) & BRD Energy shpk (shqiptare) u shpallën sot fituese në ankandin e parë të mbajtur sot.

Verbund AG me një kapacitet 72.6 megavat ofroi çmimin 74.95 euro për megavat.

Total Eren SA dhe KMV shpk me një kapacitet 75 megavat ofroi një çmim prej 44.88 euro për megavat.

Guris Insaat ve Muhebdislik As & Mogan Energji Yatirim Holding As (turke) & BRD Energy shpk me një kapacitet 75 megavat ofroi një çmim prej 74 euro për megavat.

Tre kompanitë kanë plotësuar kapacitetin në megavat, duke dhënë në total 222 megavat dhe si rrjedhojë tri shoqëritë shpallen fituese të ankandit.

Shqipëria është ndër vendet e pakta në botë që prodhon energji të rinovueshme, gati 99 për qind nga HEC-et.

Vendi synon të diversifikojë prodhimin e energjisë edhe me energji nga dielli dhe era, për t’u kthyer në një të ardhme jo të largët në superfuqi energjitike në Ballkan.

/ korca.rtsh.al /

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *