• Lajme kombëtare

Energjia e rinovueshme/ Një vendim i rëndësishëm edhe për bujqësinë

Mund të mbjellësh, të korrësh dhe të përfitosh të mira materiale nga toka bujqësore në pronësi, por jo vetëm kaq!

Qeveria shqiptare i ka kërkuar Kuvendit dhe ky i fundit ka votuar një ndryshim të rëndësishëm që i përket prodhimit të energjisë elektrike të rinovueshme edhe nga tokat bujqësore.

Ligji i miratuar ndryshon ligjin ekzistues “Për mbrojtjen e tokës bujqësore”.

Një ndryshim i rëndësishëm është bërë te neni 2 i këtij ligji.

Në nenin 14 pas pikës 4 shtohet pika 5 me këtë përmbajtje:

5. Në tokë bujqësore lejohet:
a) ndërtimi i infrastrukturës dhe veprave ndihmëse për prodhimin, zhvillimin, shfrytëzimin, operimin, shpërndarjen dhe transmetimin e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme eolike (nga era), në tokat me bonitet deri në 8 vetëm duke vijuar dhe aktivitetin bujqësor.

Ky ndryshim i hap rrugë jo vetëm nevojës së ndjeshme për të prodhuar energji për vetëkonsum nga fermerët, por edhe për ta tregtuar atë.

I cilësuar me emrin kuptimplotë “agrifotovoltaik”, aktiviteti mbi tokën bujqësore zhvillon njëkohësisht prodhimin bujqësor, në mënyrë të pandërprerë, të kombinuar me ndërtimin, shfrytëzimin, operimin, prodhimin, tregtimin, shpërndarjen dhe transmetimin e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme fotovoltaike prej energjisë diellore.

Hapi i fundit shkon në linjë me vlerësimet e Komunitetit të energjisë së Vjenës, për vendet e Ballkanit Perëndimor, për t’u përshtatur me rregullat e BE në fushën e energjisë së rinovueshme. 

Shqipëria ka përshtatur një pjesë të kërkesave në ligjin për burimet e rinovueshme, duke finalizuar edhe ankandet e para eolike me një kapacitet prej 222.6 megavatësh.

Vendi ynë renditet i treti në rajon për vetëkonsumin e energjisë.

Akti i fundit ligjor shkon në këtë drejtim.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *