Ish-pallati i kulturës në fshatin Pojan të bashkisë së Maliqit së shpejti do të vihet në funksion të shkollës së mesme, kjo me qëllim eleminimin e mësimit me dy turne. Shkolla e mesme e bashkuar Bardhyl Pojani ka një kapacitet prej 360 nxënësish, ndërkohë që aty mësojnë më shumë se 500 të tillë duke bërë mësim me turne. Në godinën që ndodhet në krah të shkollës së mesme bashkia e Maliqit përmes një investimi nga buxheti i shtetit është duke kryer rikonstruksion për ta kthyer në një ambjent shkollor me klasa për zhvillimin e mësimit.
Në ambjentet e reja janë të përfshira 6 klasa, një bibliotekë dhe një palestër të cilat do të vihen në funksion të shkollës së mesme. Aktualisht po punohet në disa fronte për të përmbyllur punimet brenda 2 muajsh, ndërsa pjesë e të njëjtit investim do të jetë edhe rivitalizimi i sheshit kryesor të fshatit ku edhe ndodhet godina e ish-pallatit të kulturës.