Bizneset në qytetin e Korçës janë të vendosur për caktimin e një dite pushim. Në një pyetësor të zhvilluar nga bashkia gati një vit më parë ku morrën pjesë 1080 biznese, 79% e tyre janë shprehur se e diela duhet të jetë ditë pushimi, përveç bizneseve të shërbimeve që kanë lidhje me turizmin. Ende edhe sot kjo kërkesë e biznesit ka mbetur pezull, ndërsa raporti i detajuar i pyetësorit të kryer iu është paraqitur për shqyrtim këshilltarëve të Këshillit bashkiak të Korçës, vetëm disa ditë më parë, në mënyrë që të hidhet në diskutim mbledhjen e ardhshme për të marrë një vendim.
Në raportin e pyetësorit të kryer 66% e bizneseve kanë qenë pro edhe vendosjes së masave administrative për ata që nuk do të respektojnë ditën e pushimit, ndërsa janë paraqitur edhe të tjera kërkesa të biznesit si lejimi i tregëtisë në Pazar e pedonale si zona që frekuentohen mjaft nga turistët, festat zyrtare të jenë të detyrueshme pushim, apo edhe subjektet ndërtuese të mos ushtrojnë aktivitet pas orës 16.00.