• Lajme kombëtare

Më 13 qershor Këshilli Drejtues zhvillon dëgjesat me kandidatët për drejtorin e ri të RTSH-së

Këshilli Drejtues i RTSH-së ka hapur prej datës 30 maj procedurën për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Radio Televizionit Shqiptar. Me vendim unanim të anëtarëve prezent çdo kandidat që plotëson kushtet e ligjit, kishte të drejtën e kandidaturës për të drejtuar median publike të Republikës së Shqipërisë. Me vendim unanim të tetë anëtarëve nga 10 që ka Këshilli Drejtues i RTSH-së, kjo trupë vendimmarrëse hapi zyrtarisht në fund të muajit maj procedurën për zgjedhjen e drejtorit të ri të Radio Televizionit Publik. Faza e aplikimit ka qënë e hapur 10 ditë siç e përcakton ligji, duke nisur nga mbledhja plenare që zyrtarizoi nisjen e procesit për plotësimin e vendit vakant në krye të medias publike shqiptare. Në këtë takim Kryetari i Këshillit Drejtues, Leka Bungo njoftoi po sipas ligjit kriteret që duhet të plotësonin kandidatët për të qënë drejtor të përgjithshëm të RTSH-së.

Sipas Bungos nuk lejohej të kandidonin ata që kanë qenë deputetë apo kandidatë për deputetë në dy legjislaturat e fundit, ata që janë anëtarë partish politike apo organizatash politike, si dhe ata që janë të zgjedhur në pushtetin vendor. Pasi kandidatët që kanë hyrë në këtë garë dhe kanë dorëzuar dokumentet dhe platformën e tyre, anëtarët e Këshillit Drejtues, kanë përzgjedhur ata persona që plotësonin kriteret ligjore. Ditën e martë datë 13 qershor Këshilli Drejtues i RTSH-së do të zhvillojë dëgjesën me kandidatët për Drejtor të Përgjithshëm të RTSH-së. Sipas ligjit, secili nga kandidatët ka 15 minuta kohë për të shpalosur platformën e tyre dhe 15 minuta pyetje përgjigje me anetarët e Këshillit Drejtues. Në fund anëtarët e Këshillit Drejtues do të votojnë në mënyrë të fshehtë për të zgjedhur drejtuesin e ri të Radio Televizionit Shqiptar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *