11 aktore mes të cilave dhe emra të mëdhenj të skenës shqiptare si Luiza Xhuvani, Yllka Mujo, Zamira Kita, Rudina Dembacaj zgjodhën Korçën për të sjellë shfaqjen “7 minuta” të autorit Stefano Massini, nën regjinë e Driada Dervishit. Shfaqje e cila sipas autorit vë në qendër të vëmendjes privimin e të drejtave të grave, kryesisht punonjëseve në fasoneri. Për aktoret gjithçka shkoi shumë mirë, sikur vepra të ishte shkruar nga një autor shqiptar, duke u dhënë mundësi të japin mesazhe të forta gjatë interpretimit.
Për regjisoren Driada Dervishi kjo shfaqje nuk është vetëm për gjininë femërore, pasi privimi i të drejtave në punë mund t’i ndodhë kujtdo.
Drama “7 minuta” është shfaqur edhe në skenën e Pallatit të Kulturës, në Ersekë ndërkohë do të jetë edhe pasditen e sotme në skenën e teatrit “Andon Zako Çajupi” të Korçës, për të vijuar më pas rrugëtimin edhe në qytete të tjera të Shqipërisë.