Banorët e lagjes 5 në qytetin e Korçës ngrejnë shqetësimin për mungesën e trafikndarëseve të përkohshme në rrugën “Don Gjon Buzuku”. Mungesa e parandaluesve të shpejtësisë e bën këtë rrugë burim aksidentesh jo vetëm për banorët e kësaj lagjeje, por mbi të gjitha për nxënësit që ndjekin studimet tek shkolla e mesme arstistike “Tefta Tashko Koço” që ndodhet buzë kësaj rruge. Ata kërkojnë nga autoritetet të merren masa për të parandaluar ngjarjet rrugore që mund të ndodhin nga shpejtësia e lartë e mjeteve që lëvizin në këtë segment rrugor.
Gjithashtu një tjetër shqetësim i banorëve të kësaj lagjeje është edhe trafiku që krijohet tek kryqëzimi i rrugëve “Fetah Selca” dhe “Koçi Nole”, ku shumica e drejtuesve të mjeteve nuk respektojnë sinjalistikën rrugore, duke bërë edhe parkime të gabuara që mund të bëhen shkak për aksidente.
Banorët apelojnë për marrjen e masave me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e parametrave të sigurisë rrugore në këtë segment rrugor mjaft të frekuentuar si nga nga mjetet ashtu edhe nga këmbësorët.