• Korça

Doganat greke dy ditë në grevë/ Nga 2-4 prill, ndalohet lëvizja e mjeteve në Kapshticë

Doganat greke kanë paralajmëruar një grevë 48 orëshe nga data 2 prill në orën 08.00 të mëngjesit dhe deri në datën 04 prill në orën 08.00 të mëngjesit. Si pasojë e grevës do të paralizohet totalisht lëvizja e mjeteve drejt Greqisë në të gjitha pikat doganore që lidhin vendin me vendet e rajonit, duke përfshirë këtu edhe Shqipërinë. Përsa i përket doganave greke që janë porta hyrëse me vendin tonë, stafi në to paralajmëroi pjesëmarrje të gjerë në grevë. Sipas burimeve nga Kakavija dhe Kapshtica, gjatë 48 orëve të grevës nuk do të mund të lëvizë asnjë mjet udhëtarësh dhe kamionë nga dhe drejt Greqisë. Po sipas të njëjtave burime do të lejohen vetëm këmbësorët të cilët kalojnë pa bagazhe dhe çanta. Sindikata e doganave tha se vendimi për fillimin e grevës ishte i pashmangshëm pasi qeveria greke nuk ka përmbushur asnjë nga pikat e kërkesave të kësaj sindikate. Sindikata nuk pranoi t’i përgjigjet pyetjeve të gazetarëve lidhur me problemet që mund të shkaktohen prej kësaj greve, pasi ajo përkon me ditët pas Pashkës Katolike dhe gjatë atyre ditëve do të ketë lëvizje të shtuar qytetarësh në dogana, por edhe kërkesë të shtuar për mallra.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *