• Korça

Dita Ndërkombëtare e Muzeve/ Aktivitete në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar

18 maji shënon Ditën Ndërkombëtare të Muzeve, një event që synon promovimin e vlerave të trashëgimisë sonë kombëtare. Në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë në këtë ditë hyrja është falas për të gjithë qytetarët, ndërsa janë organizuar edhe një sërë aktivitetesh për promovimin e muzeut dhe njohjen e tij sidomos nga brezi i ri. Kështu nxënës të moshave të ndryshme ditën e sotme kanë qenë në këtë muze duke marrë pjesë edhe në diskutimin e temës së përzgjedhur për këtë vit që është Muzetë, qëndrueshmëria dhe mirëqenia.

Pjesë e aktiviteteve kanë qenë edhe nxënës të fillores të shkollës Sevasti Qirjazi të cilët u njohën me ikonat dhe objektet e tjera në muze, si dhe vizatuan e ngjyrosën.

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar ka çelur edhe sezonin e ri turistik. Deri më 15 shtator muzeu do të jetë i hapur çdo ditë nga ora 9.00 deri në 19.00, ndërsa të djelën e fundit të çdo muaji, hyrja do të jetë falas.

Të tjerë të rinj nga shkolla e muzikës kanë vizituar edhe ambjentet ku restaurohen ikonat duke u njohur me teknikat dhe mënyrat që përdorin restauratorët për të ruajtur këto vlera të paçmueshme të trashëgimisë sonë kulturore.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *