Edicioni i 8-të i ekspozitës e cila ka në qendër Ditën Ndërkombëtare të Gruas ka udhëtuar nga Fieri drejt Pogradecit. Një ekspozitë e ndarë në dy reparte në pikturë dhe fotografi, ku marrin pjesë fotografë dhe piktorë nga Ballkani dhe Europa, të cilët me punimet e tyre përcjellin botën e gruas në dimensione të ndryshme. Ekspozita e çelur në galerinë e arteve “Lasgush Poradeci” përcjell mesazhe të forta mbi mënyrën se si duhet trajtuar gruaja, nisur edhe nga ngjarjet e fundit në Shqipëri thotë Sajmir Ahmeti organizator i saj.
Për piktoren nga Durrësi Marjana Goxhabelliu bota e gruas dhe e dashurisë shprehet mjaft bukur përmes pikturës dhe fotografisë dhe para se të japim mesazhe nëpërmjet artit, duhet që të edukojmë brezat për të respektuar gruan.
Ekspozita përmbante jo vetëm piktura por edhe fotografi nga artistë të ndryshëm nga disa vende të Europës, ku binte në sy edhe një punim e një autoreje ruse e cila ka sjellë femrën me xhamadan dhe flamur shqiptar.