• Kolonjë

“Dita e Verës” në Kolonjë. Për të dytin vit radhazi bashkia organizon një aktivitet festiv

Për të dytin vit me radhë bashkia e Kolonjës ka organizuar festën e ditës së verës. Me këtë rast në sheshin kryesor të qytetit të Ersekës është kryer ceremonia e ndezjes së zjarreve. Pjesë e këtij aktiviteti ishte edhe panairi i gatimeve tradicionale dhe simboleve të ditës së verës si kulaçi, vezët, veroret dhe mistrat e zjerë, të përgatitura nga amvisat kolonjare. Për drejtoren e Turizmit dhe Trashëgimisë në bashkinë e Kolonjës, Anila Çuçllari kjo festë synohet të kthehet në traditë duke sjellë detajet e pritjes së pranverës që shoqërojnë këtë festë pagane, me qëllim për ta transmetuar atë ndër breza.

Për kryetarin e bashkisë Kolonjë Erion Isai, organizime të tilla shërbejnë jo vetëm për të gjallëruar qytetin por edhe për të tërhequr sa më shumë vizitorë.

Ky është viti i dytë që bashkia e Kolonjës organizon këtë aktivitet festiv, me qëllimin për ta kthyer në një traditë të përvitshme. Festa ka vijuar me një koncert të përgatitur nga qendra kulturore. Përveç festimeve në sheshin kryesor të qytetit të Ersekës, banorët kanë ndezur zjarre në rrugët e qytetit apo oborret e shtëpive dhe kanë kryer ritualet e kësaj feste që simbolizon ardhjen e pranverës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *