20 shkurti është caktuar si Dita e Kujtesës Kombëtare për Martirët dhe Viktimat e Regjimit Komunist. Kjo datë shënoi në fakt edhe fundin e diktaturës në Shqipëri, pasi mijëra qytetarë u ngritën më 20 shkurt të vitit 1991 për të shembur simbolin e komunizmit, pak muaj pasi regjimi i vjetër që po jetonte ditët e tij të fundit kishte lejuar pluralizmin politik. Rrëzimi i monumentit të Enver Hoxhës u nxit nga greva e urisë e ndërmarrë nga disa qindra studentë për t’i hequr universitetit emrin e tij. Pamjet e atyre ngjarjeve, në sheshin ‘Skënderbej’ bënë xhiron e botës dhe e vunë edhe një herë Shqipërinë në fokus të zhvillimeve ndërkombëtare. Rrëzimi i përmendores së diktatorit Enver Hoxha do të shënonte edhe ndarjen me të shkuarën dhe fillimin e një epoke të re, atë të demokracisë. Rrëzimi i busteve të diktatorëve komunistë kishte nisur në Shkodër me rrëzimin e bustit të Stalinit dhe u shpërnda me shpejtësi në gjithë vendin me rrëzimin e busteve të Enver Hoxhës. Në Korçë në këtë 33-vjetor të rrëzimit të bustit nuk u zhvillua ceremonia për vendosjen e buqetave me lule pranë bustit të 20 shkurtit në qendër të qytetit, pasi opozita nën sloganin “o sot o kurrë“ ka lajmëruar një tubim duke ftuar qytetarët të protestojnë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë.
- Korça