Asnjë rast me SIDA nuk është evidentuar gjatë këtij viti në zonën e Korçës. Kjo është bërë e ditur nga punonjësja sociale pranë Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Korçë, Nertila Sterjo e cila tha se nga viti në vit synohet rritja e numrit të testimeve vullnetare për këtë sëmundje, duke rritur kështu edhe kontrollin në të gjithë territorin, me qëllim që të vijohet të mbahet numri zero i rasteve pozitive.
Qendra e Testim Këshillimit për HIV/AIDS dhe sëmundjet seksualisht të transmetueshme funksionon prej 17 vitesh në Korçë. Përmes sensibilizimit të vazhdueshëm është bërë e mundur rritja e numrit të testimeve falas në grupet vulnerabël ku përfshihen të rinjtë, nënat shtatzana, personat që përdorin droga të injektueshme, si dhe pjesëtarë të komuniteteve rome e egjiptiane.