7 Prilli shënon Ditën Botërore të Shëndetit, në përvjetorin e themelimit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Në fokus të kësaj dite është sensibilizimi i popullatës sa i përket problemeve shëndetësore dhe kujdesit që duhet të tregojnë për shëndetin e tyre. Qytetarët e Korçës shprehen se tregojnë një kujdes të shtuar, duke kryer vizita të rregullta tek mjekët e familjes, apo mjekët specialistë kur është e nevojshme. Ata gjithashtu thonë se kryejnë në mënyrë të vazhdueshme analiza për të parë gjendjen e tyre shëndetësore duke pohuar edhe faktin se në përgjithësi popullata është e ndërgjegjësuar sa i përket çëshjteve të shëndetit.
Në vitin 1948, Organizata Botërore e Shëndetësisë organizoi Asamblenë e Parë Botërore të Shëndetit. Asambleja vendosi të caktojë 7 prillin si Ditën Botërore të Shëndetit. Dita Botërore e Shëndetit mbahet për të shënuar themelimin e OBSH-së, dhe shihet si një mundësi nga organizata të ndryshme për të tërhequr vëmendjen në mbarë botën për një subjekt me rëndësi të madhe për shëndetin global çdo vit.