Janë luajtur sot katër ndeshje të Kategorisë së Parë të vlefshme për javën e 16-të. Bie në sy humbja e Dinamos në fushën e Burrelit, ku gjithçka është vendosur nga një gol i Farrukut në minutën e 65-të. Një humbje befasuese për kryeqytetasit, të cilët janë mbajtës të vendit të parë në klasifikim, por tashmë ndjekësit janë afruar ndjeshëm.
Një hap të gabuar ka hedhur dhe skuadra e Korabit e cila është mundur 1-0 në transfertën me Luzin. Një fitore bindëse e Skënderbeut, 4-1 përballë Orikut. Korçarët tashmë ndodhen në vendin e dytë, -1 nga vendi i parë, duke e bërë akoma më emocionuese garën për ngjitjen në Superiore. Ndërkohë, sfida mes Apolonisë dhe Besës është mbyllur në barazim 0-0.