• Pogradec

Dimër në Drilon/ Parku ujor Tushemisht-Drilon, aty ku natyra nuk kursen bukurinë edhe në dimër

Pika turistike e Drilonit vizitohet edhe gjatë dimrit, çka e bën zonën e Pogradecit që të ketë turizëm gjithëvjetor. Ndodhet rreth 4 km larg qytetit të Pogradecit duke ndjekur vijën bregliqenore, ndërsa mund të shijosh një bukuri mahnitëse, mbuluar me petkun e bardhë. Një relaks i vërtetë nën mrekullinë e një pylli në bregun e liqenit, në mes me ishujt e ndarë që mund t’i vizitosh duke vozitur me varkë përgjatë lumit e një shëtitje në qetësi të plotë, të ofrohen në pikën turistike të Drilonit edhe në dimër. Që prej shkurtit të vitit të kaluar Parku Ujor Tushemisht-Drilon i është nënshtruar punimeve për rehabilitimin e tij. Investimi me vlerë rreth 6 mln dollarë i financuar nga Fondi Amerikano-Shqiptar për zhvillim dhe Qeveria Shqiptare, pritet që t’i japë një frymë të re zonës duke ndikuar edhe në zhvillimin ekonomik por dhe duke rritur potencialin turistik, si një ndër zonat më të frekuentuara në Pogradec. Deri tani kanë përfunduar rreth 70% e punimeve ndërsa kanë ngelur për t’u vendosur shtëpizat e drurit, stolat dhe elementët ndriçues. Turistët do të mund ta vizitojnë parkun përmes varkave, biçikletave, mjeteve jomotorike elektrike, etj. Kështu të 170 hektarët e kësaj zone, të konceptuar në 15 nënprojekte, ku pjesa më e madhe ka qenë e paeksploruar, do të jenë të aksesueshme në mënyra të ndryshme.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *