• Korça

Dhurimet vullnetare të gjakut. Numri i dhuruesve vullnetarë në qarkun e Korçës mbetet i ulët

Banka e gjakut pranë Spitalit Rajonal të Korçës prej kohësh përballet me uljen e numrit të dhuruesve vullnetarë të gjakut. Mjekja e kësaj qendre Viola Furxhi ka bërë të ditur se edhe pse nuk ka patur mungesa në bankën e gjakut dhe janë plotësuar nevojat që ka pasur spitali për pacientët, përsëri numri i dhuruesve vullnetarë në qarkun e Korçës mbetet i ulët. Në rang kombëtar sipas mjekes duhet të ketë 20 dhurime për 1000 banorë, ndërkohë që në Korçë bëhen vetëm 5.5 dhurime për 1000 banorë.

Periudha e pandemisë ndikoi ndjeshëm në uljen e numrit të dhurimeve vullnetare të gjakut. Për këtë nga ana e kësaj qendre iu është kërkuar zyrtarisht të gjitha institucioneve të bëhen pjesë e fushatës së dhurimit vullnetar të gjakut.

Burimi kryesor i sigurimit të gjakut me dhurues vullnetar sipas mjejes Furxhi mbeten punonjësit e institucioneve, familjarët dhe studentët. Mjekja bën apel për ndërgjegjësimin dhe sensibilizimin e sa më shumë qytetarëve në dhurimin e gjakut, pasi kjo nuk sjell probleme në shëndet. Brenda një viti në bankën e gjakut pranë Spitalit Rajonal të Korçës janë kryer më shumë se 1300 dhurime gjaku.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *