Dëmet e shkaktuara në sipërfaqet e mbjella me grurë dhe elb në njësinë administrative Drenovë dhe Voskop janë të pakthyeshme thotë dekani i Fakultetit të Bujqësisë, Prof. Dr. Gjergji Mero. Por ai jep edhe një ide sesi fermerët të mund të shpëtojnë disa prej sipërfaqeve me grurë në mënyrë që ai të vijojë fazën e fundit të pjekjes dhe të mos shkojë dëm.
Një gjë e tillë mund të realizohet duke e ngritur grurin dhe duke e lidhur tufa tufa në mënyrë që të mund të vijojë të piqet. Por sipas tij kjo mund të realizohet vetëm për sipërfaqe të vogla të mbjella me grurë, pasi për sipërfaqe të mëdha është një proces i vështirë që kërkon forca të shumta pune.
Shirat e dy ditëve më parë shkaktuan dëme të konsiderueshme në sipërfaqet e mbjella me grurë e elb. Fermerët flasin për sipërfaqe disa qindra hektarë të dëmtuara, ndërsa autoritetet e bujqësisë e lokalizuan dëmin në vetëm 20 Ha.