Ambasadori gjerman Karl Bergner komentoi sot nga Korça marrëveshjet për të cilat ranë dakord PS dhe grupi parlamentar i Rithemelimit ditën e djeshme në Konferencën e Kryetarëve. I pyetur për rikthimin e normalitetit në parlament, ambasadori gjerman deklaroi se është kënaqësi e madhe të shohësh zhvillime të tilla.
“Është kënaqësi e madhe që shoh zhvillimet e fundit të parlamentin shqiptar, gjithsesi do të shikojmë nesër në rast se realisht do ti kthehet normalitetit për të folur për përmbajtje pa qënë nevoja për tu ndalur seanca. Gjithmonë e kemi theksuar në këto muajt e fundit kur në parlament nisën shqetësimet, kemi theksuar se parlamenti është një kusht i rëndësishëm për një sistem demokratik, për integrimin e Shqipërisë në BE. Është kënaqësi për ne të shohim se dy partitë politike janë dakordësuar për të normalizuar situatat në parlament. Shpresojmë që ky bashkëpunim të sjellë zhvillim edhe në reformën zgjedhore, por edhe në tema të tjera të rëndësishme”.
Më tej ambasadori gjerman foli edhe për Reformën Zgjedhore.
“Ne shpresojmë që të kemi një reformë zgjedhore, nuk mund të jap konkluzionet e mia sepse nuk është përmbyllur ende. Ju e dini se ekziston një komision parlamentar për çështjen e reformës zgjedhore i cili ka afatin e tij deri në 21 Mars, do të paraqesë rezultatet e punës së tij para kuvendit e kur të merret vendimi do të shprehemi. Kemi interes që ky proces të jetë i gjerë, të përfshijë sa më shumë interesa, ka rekomandime nga OSBE – OHDIR, do e ndjekim në vijim. Me lejoni të them se qëllimi im ishte për të parë qytetin e Korçës, kemi patur vërtet një kohë impresionuese, dinamika pozitive, kemi parë sipërmarrje të ndryshme, dixhitializmi, ky është mesazhi që dua të jap, do e mbështesim Korçën në vijim”.
Ambasadori theksoi se reforma zgjedhore duhet të jetë sa më gjithëpërfshirëse, ku të adresohen rekomandimet e të gjitha grupeve të interesit.