• Pogradec

Censusi i Shpendëve Ujorë Dimërues, aktiviteti ndërkombëtar edhe në Ohër e Prespë

Censusi Ndërkombëtar i Shpendëve Ujorë Dimërues do të zhvillohet edhe në Shqipëri në datat 13 e 14 janar. Në qarkun e Korçës numërimi i shpendëve do të kryhet në liqenin e Ohrit, në Prespën e Vogël dhe Prespën e Madhe. Censusi Ndërkombëtar i Shpendëve Ujorë, është një nga metodologjitë më cilësore mbi monitorimin e shpendëve. Ai jep informacion thelbësor, i cili kontribuon në mbrojtjen dhe konservimin e shpendëve ujorë dhe të habitateve ligatinore ku ata jetojnë. Nga censusi i një viti më parë, në liqenet e Ohrit dhe Prespës është vënë re një numër i ulët i shpendëve, kjo për shkak të ndryshimeve klimatike dhe dimrit më të butë krahasuar me vitet e kaluara. Në numrin e ulët të shpendëve ka ndikuar dhe ulja drastike e nivelit të ujit në këto liqene. Sot, censusi mbulon në Shqipëri rreth 33 ligatina. Kufijtë e monitorimit të zonave dhe nënzonave, janë vendosur duke u bazuar në gjeografinë e zonës, si edhe në njohuritë lokale të përdorimit të një zone nga shpendët ujorë. Në këtë ngjarje ndërkombëtare do të marrin pjesë rreth 143 shtete nga e gjithë bota, ndërsa 12 drejtori rajonale të agjencisë së zonave të mbrojtura në Shqipëri do të jenë pjesëmarrëse, me 91 specialistë të cilët do të kryejnë censusin në 33 vendnumërime, ndërsa do të jenë të pranishëm edhe 11 ekspertë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *