Është zhvilluar në Korçë takimi i 3-të në kuadër të Censusit të popullatës, një process i cili do të nisë në 18 shtator. Ky takim i cili vjen në bashkëpunim me Agjencinë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, bëri bashkë përfaqësues të 3 Qarqeve, Korçë, Elbasan dhe Berat dhe 18 bashkitë kryesore të tyre. Drejtorja e INSTAT Elsa Dhuli tha se censusi parashikohet të zgjasë rreth 6 javë në terren. Ndër pikat më të rëndësishme që theksoi Dhuli renditet përdorimi i pajisjeve elektronike dhe modernizimi i sistemit të Informacionit Gjeografik, metoda e grumbullimit tradicional të informacionit derë më derë, të dhënat që do të jepen në nivel bashkie, etj.
Prefekti i Qarkut Korçë Nertil Jole në fjalën e tij kërkoi mbështetjen e 6 bashkive të Qarkut të Korçës dhe 18 bashkive të Elbasanit e Beratit, për të zhvilluar një proces korrekt.
Zhvillimi i censusit është një ndër temat më të diskutuara, falë të cilit do të përftohen të dhëna që do të shërbejnë për krijimin e regjistrave statistikorë të popullsisë dhe banesave që do të orientojnë krijimin e politikave të ndryshme për qytetarët.