Është çelur në Korçë Rezidenca Artistike Ndërkombëtare, si një vend dhe hapësirë e domosdoshme, njohjeje, takimi, shkëmbim idesh, eksperiencash deri në fazën e nxjerrjes në treg të një produkti të mirëfilltë artistik. Qëllimi i “Rezidences Artistike Ndërkombëtare është të shndërrojë në reale dhe funksionale, të gjitha format e mundshme dhe alternative të zhvillimit dhe funksionimit të ideve, iniciativave, dhe mbi të gjitha të produkteve artistike, por dhe projekteve socio- kulturore drejt të cilave, artistët duhet të kanalizohen. Në këtë rezidencë kanë ardhur prej disa ditësh dy artiste franceze të cilat pasi kanë vizituar qytetin e Korçës janë mrekulluar me gjurmët e dy kohëve që kanë gjetur në të duke punuar me stilin e urbanizimit, për të nxjerrë një produkt artistik:
“Korça është një qytet i veçantë. Ju me të vërtetë keni idenë e diçkaje të lashtë, jo të rinovuar, të çrregullt, të çorganizuar me kabllot e saj elektrike ku të gjithë marrin detyrat nga njëri-tjetri. Dhe përveç kësaj, ju keni hapësira super të pastra, shumë katrore, të pastruara mirë. Kjo jep një kontrast shumë të rëndësishëm për tranzicionin çka do e bëj të duket në punën time dhe ta sjell të evidentuar në projektin që do marr me vete në kthim.”
Së shpejti, edhe katër artistë të tjerë të sferave dhe disiplinave të ndryshme artistike do të vijnë në qytetin e Korçës, për të krijuar të tjera punë e perceptime artistike.