Nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe gjimnazeve të Korçës e Maliqit kanë organizuar një ekspozitë, ku kanë prezantuar punime të ndryshme të realizuara nga vetë ata me materiale të riciklueshme dhe të ripërdorshme, në kuadër të ditës botërore të tokës, që shënohet çdo vit në datën 22 prill. Ky aktivitet kishte për qëllim që të përcillte mesazhe sensibilizuese për rëndësinë e ruajtjes dhe zhvillimit të qëndrueshëm të mjedisit, duke patur në fokus temën e riciklimit dhe ripërdorimit të materialeve të riciklueshme. Vetë fëmijët na tregojnë për materialet të cilat kanë përdorur për të përgatitur këto punime dhe mesazhet që duan të përcjellin tek bashkëmoshatarët e tyre.
Këtij aktiviteti i është bashkuar edhe shoqëria Administrimi i mbetjeve të qarkut Korçë, ku prezantoi misionin e saj. Ky aktivitet kishte për qëllim që përmes argëtimit dhe shprehjes së krijimtarisë të nxiste fëmijët të kuptojnë dhe të reflektojnë rreth temës së riciklimit.
Duke përdorur imagjinatën dhe materiale të ndryshme të riciklueshme, nxënësit përmes kësaj veprimtarie, janë bërë bashkë për të dhënë një mesazh që vlen në çdo kohë: “Çdo ditë është dita e tokës”. Gjatë aktivitetit janë dhënë edhe certifikata vlerësimi për shkollat pjesmarrëse.