Shteti rumun edhe këtë vit vazhdon të mbështesë studentët arumunë por edhe ata shqiptarë duke ofruar bursa për studime bachelori por edhe masteri. Një gjë e tillë është bërë e ditur nga Daniela Stoica, Përgjegjëse e Departamentit të Gjuhëve të Huaja pranë Universitetit Fan Noli të Korçës. Ajo sqaron se të gjithë kandidatët e komunitetit arumun mund të aplikojnë për të përfituar bursë në Rumani edhe në degë si mjekësi, stomatologji apo farmaci, si edhe në shumë degë të tjera. Ndërsa kandidatët shqiptarë mund të përfitojnë bursa në shumë degë, por jo në mjekësi, stomatologji apo farmaci.
Të rinjtë arumunë mund të aplikojnë edhe për studime masteri në Rumani edhe nëse bachelorin e kanë përfunduar në Shqipëri, pasi atyre iu njihet diploma që kanë përfituar. Stoica ka shpjeguar edhe mundësitë që iu jepen kandidatëve për studentë në universitetin Fan Noli ku këtë vit do të kenë mundësi të studiojnë edhe në profilin gjuhë minoritare, ku do të përfshihet edhe dialekti arumun.
Përpjekjet e shtetit rumun por edhe shtetit shqiptar bashkohen për të ruajtur, kultivuar dhe trashëguar edhe në brezat e rinj gjuhët minoritare që fliten në Shqipëri dhe kjo në kuadër të marrëdhënieve dypalëshe si dhe në kuadër të integrimit europian.