Bien reshjet e para të borës për këtë vit në qarkun e Korçës. Në lartësitë mbi 1000 m, që prej natës së mbrëmshme kanë nisur reshjet e borës, të cilat kanë rënë me intensitet mesatar në zonën e Dardhës, ku aktualisht ka mbi 15 cm borë. Reshje ka pasur edhe në Qafën e Qarrit, në Vithkuq e Voskopojë, por në këto zona nuk ka më shumë se 5 cm borë. E vështirë paraqitet situata në rrugën e Panaritit e cila është e bllokuar për shkak se bora në majë të Mashkullorës ka arritur në 30 – 50 cm. Prej orëve të para të mëngjesit në terren janë mjetet borëpastruese të firmave të kontraktuara për mirëmbajtjen dimërore të cilat kanë kryer pastrimin dhe kriposjen e akseve për të siguruar qarkullimin normal të mjeteve.
Në të gjithë qarkun e Korçës janë 27 mjete borëpastruese, ndërsa vetëm në rrugën e Dardhës punojnë 3 të tilla. Kjo e djelë ka pasur një fluks të lartë të vizitorëve në këtë zonë të cilët kanë shfrytëzuar borën për të kaluar një ditë ndryshe.
Autoritetet këshillojnë drejtuesit e mjeteve që të jenë të pajisur me goma dimërore për të mos hasur probleme gjatë qarkullimit në akset malore të qarkut të Korçës. Kjo situatë e ditës së sotme ka sjellë edhe probleme me energjinë elektrike në fshatrat e njësisë administrative Vithkuq në Korçë, ndërsa mësohet se grupet e OSHEE janë në terren për të riparuar difektet.