Prej gati një jave rreth 600 banorët e fshatit Belorta vuajnë mungesën e ujit të pijshëm. Shkak është bërë stuhia e javës së kaluar, kur dalja e përrenjve nga shtrati shkatërroi burimet e ujit të pijshëm dhe ujësjellësin e këtij fshati. Banorët thonë se e kanë tepër të vështirë të jetojnë në mungesë të ujit të pijshëm, tashmë që edhe temperaturat janë mjaft të larta, ndërsa ata detyrohen të mbushin ujë me kova e bidona, apo të blejnë ujë për të pirë.
Ujësjellësi i fshatit Belorta aktualisht është nën administrimin e vetë banorëve, të cilët me disa punëtorë janë duke punuar për të gjetur një burim uji në mal për të siguruar kështu vetëm ujë për të pirë. Kjo bëhet e ditur nga kryetari i fshatit Belorta, Nexhip Zyberi, i cili gjithashtu sqaron se ujësjellësi i vjetër është totalisht i dëmtuar dhe nevojitet një investim i plotë në mënyrë që të sigurohet ujë 24 orë për banorët.
Të interesuar pranë shoqërisë Ujësjellës Kanalizime Korçë mësojmë se fshati Belorta nuk është nën administrimin e saj, por në këtë situatë të vështirë UKKO i ka ndihmuar banorët me të gjitha materialet e nevojshme për të siguruar një sasi uji për të pirë nga një burim malor. Nga ana tjetër UKKO sa i takon një zgjidhje afatgjatë dhe përfundimtare, UKKO ka aplikuar për grande për hapjen e një pusi në këtë fshat, i cili do të zgjidhte përfundimisht problemin dhe fshati Belorta duke u menaxhuar nga kjo shoqëri do të arrijë të sigurojë 24 orë ujë të pijshëm.