Disa banorë të pallatit pranë teatrit Andon Zako Çajupi janë ankuar për aromë të keqe të ujit të pijshëm dhe për ndotje të tij. Kjo ka bërë që menjëherë specialistët e ujësjellësit të Korçës por edhe ata të shërbimit të higjienës pranë Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Korçë të marrin mostra të ujit duke kryer analizat e tyre. Pas analizave ka rezultuar që nuk ka asnjë problematikë me ujin e pijshëm dhe se ai ka të gjitha parametrat e duhura për tu konsumuar. Specialisti i shëndetit mjedisor dhe epidemiologjisë Nikolla Minga tregon se në rutinën e përditshme analizat e ujit të pijshëm kryhen dy herë në ditë në të 18 lagjet e qytetit të Korçës. Ai siguron qytetarët se nuk duhet të shqetësohen për cilësinë e ujit të pijshëm, pasi sipas analizave uji ka parametrat e duhura për konsum.
Edhe nga ana e ujësjellësit të Korçës janë kryer analiza të vazhdueshme të ujit të pijshëm duke mos hasur asnjë problematikë në cilësinë e tij.