Për herë të parë një muze shqiptar do të flasë në gjuhën ukrainase. Në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë, është prezantuar audio-guida në gjuhën ukrainase, ku tashmë turistët ukrainas do të kenë mundësi të marrin informacion mbi veprat, pjesë e koleksionit të këtij muzeu në gjuhën e tyre. Në këtë aktivitet ka qënë i pranishëm ambasadori i Ukrainës në Shqipëri i cili ka theksuar urat e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Ukrainës. Diplomati Shukrov ka thënë se ky projekt është shtrirë tashmë në më shumë se 50 muze në 33 vende të ndryshme të botës.
Kryetari i Bashkisë së Korçës ka vlerësuar këtë nismë duke u shprehur mirënjohës që një muze në Korçë, ka nisur rrugën që pas vitesh do të vijojë edhe në muze të tjera të vendit tonë.
Këtë aktivitet e ka përshëndetur edhe zonja e parë e Ukrainës nëpërmjet një video-mesazhi Olena Zelensky, e cila ndër të tjera, deklaroi se teksa Rusia flet me gjuhën e agresionit, Ukraina do të flasë me Shqipërinë përmes gjuhës së artit dhe kulturës. Një përshendetje për të pranishmit ka ardhur edhe nga zonja e parë e Shqipërisë Armanda Begaj.
Gjatë aktivitetit të prezantimit të audio-guidës në gjuhën ukrainase në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë, ka performuar këngëtarja Albana Bajraktari, teksa më pas ambasadori i Ukrainës dhe stafi i tij kanë bërë një tur në ambientet e muzeut.